TIRANË- Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, prezantoi sot Kryeinspektorin e ri të Inspektoriatit Shtetëror të Punës (ISHP), Thoma Melo. Drejtuesi i ri i ISHP-së u emërua në këtë post përmes një urdhri të firmosur nga kryeministri Sali Berisha, pesë ditë më parë. "Z. Melo u përzgjodh me konkurrim të hapur. Ai është një kuadër me eksperiencë të gjatë në menaxhimin e punës në administratë. Mbi të gjitha gjatë detyrës së mëparshme në krye të Zyrës Rajonale të Punës në Tiranë, ai ka dëshmuar përmes punës së tij aftësi dhe ndershmëri"- tha ministri gjatë prezantimit. Ndërkohë që për dorëheqjen e Thoma Miços, ai është shprehur se deklaratat e bëra nga ai janë të pavërteta. Sipas tij, shkarkimi i Miços konsistonte në shkeljet e përsëritura në drejtimin e Inspektoriatit, ushtrimin e kontrolleve tendencioze dhe të përsëritura ndaj biznesit si dhe bllokimin e punës së Komisionit Qendror të Apelimit të Gjobave. Kryeinspektori i ri, Thoma Melo, u shpreh se "prioritet i punës time do të jetë përmirësimi i klimës me biznesin, si një partner i qeverisë dhe i shoqërisë dhe do të bëj ç'është e mundur për të luftuar prezencën e punës së zezë në tregun e punës".