KQZ, numri i deputetëve në 12 qarqe

Tirana, falë numrit më të madh të popullsisë, do të ketë dhe numrin më të madh të deputetëve

TIRANË- Përcaktohet në mënyrë zyrtare numri i mandateve të deputetëve për secilën zonë zgjedhore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas shumë debatesh, ka miratuar dje me unanimitet aktin e ndarjes së 140 mandateve në 12 qarqet e vendit, të cilat në bazë të ndryshimeve të bëra gati një vit më parë edhe në Kushtetutë, korrespondojnë me 12 zonat zgjedhore. Ndërkohë që, ka qenë zero ndikimi që ka pasur në numrin e deputetëve nëpër zona, heqja nga regjistri themeltar i shtetasve, i afro 46 mijë dublikatave.

Tashmë do të jetë Kuvendi ai që, në respekt të Kodit Zgjedhor, brenda datës 2 mars, do të duhet të japë pëlqimin për aktin që është miratuar dje nga KQZ-ja.


Formula

Ndarja e mandateve është bërë sipas një formule të thjeshtë, bazuar në përcaktimin që ka bërë Kodi Zgjedhor.

Fillimisht është gjetur numri mesatar i shtetasve që duhet t'ië një mandati. Për të përftuar këtë mesatare, numri i përgjithshëm i popullsisë, i cili sipas të dhënave të datës 11 shkurt të vitit 2009, dhe ku janë reflektuar pastrimi i dublikateve, rezulton të jetë 4 milionë e 249 mijë banorë, është pjesëtuar me numrin 140, aq mandate sa do të ketë edhe Kuvendi i ardhshëm.

Nga kjo ka rezultuar se, duhet të zgjidhet një deputet në çdo 30357 banorë. Ky është numri mesatar, me të cilin është pjesëtuar numri i ri i popullsisë, që është dokumentuar për çdo qark, nga ku dhe është përcaktuar fillimisht numri i plotë i deputetëve që i korrespondojnë çdo zone zgjedhore.

Më pas, mandatet e mbetura pa u ërndarë, u janë shpërndarë të gjitha atyre qarqeve që kanë numrin më të madh të popullsisë që mbetet e papërfaqësuar me deputetë, ose thënë ndryshe, atyre qarqeve që kanë mbetjen më të madhe dhjetore, të numrit të përftuar nga pjesëtimi i numrit të popullisë të qarkut, me mesataren e numrit të shtetasve që duhet të përfaqësojë një deputet. Kështu, nga mandatet e mbetura kanë përftuar nga një vend në Kuvend 6 qarqe dhe, përkatësisht, Berati, Elbasani, Fieri, Korça, Kukësi dhe Lezha.


Mandatet

Ashtu siç edhe ishte përcaktuar që më parë, Tirana, falë numrit më të madh të popullsisë, do të ketë dhe numrin më të madh të deputetëve.

Plot 32 të tillë i kanë takuar kësaj zone zgjedhore, e cila përfshin një zonë të mbipopulluar, duke përfshirë që nga Tirana qytet dhe fshat, Kavajën dhe Rrogozhinën. Qarku i dytë do të jetë Fieri, i cili duke përfshirë edhe rrethin e Lushnjës, dhe atë të Mallakastrës, do të zgjedhë 16 deputetë. Menjëherë pas tij vijnë Elbasani, me 14 mandate, Durrësi me 13, Vlora dhe Korça me nga 12, Shkodra me 11.

Ndërkohë që, 6 qarqet e tjera kanë një numër më të vogël deputetësh, ku listën e këtij grupimi e kryeson Berati, me 8 mandate dhe pas vjen Lezha me 7 deputetë dhe Dibra me 6.

Listën e mbyllin dy qarqet që kanë dhe numrin më të vogël të popullsisë, Gjirokastra me 5 mandate dhe Kukësi me 4. Tashmë i mbetet Kuvendit që të japë pëlqimin për shpërndarjen që KQZ-ja u ka bërë mandateve nëpër zona. Mandatet për secilin qark

Berat 8 mandate Dibër 6 mandate Durrës 13 mandate Elbasan 14 mandate Fier 16 mandate Gjirokastër 5 mandate Korçë 12 mandate Kukës 4 mandate Lezhë 7 mandate Shkodër 11 mandate Tiranë 32 mandate Vlorë 12 mandate

Numri më i madh i dublikimeve të spastruara, është gjetur në Qarkun e Tiranës. 14 mijë të tilla