INTERVISTA/ Flet drejtori i përgjithshëm, Avni Ponari: Forca jonë janë klientët, të cilëve u shërbejmë pa lodhje

Shoqëria më e madhe në Shqipëri, sot mbush 10 vjet

Plot 10 vjet punë, mundime, por edhe suksese. Sot mbushen plot 10 vjet nga krijimi i kompanisë së sigurimeve, SIGAL. Nga një zyrë me 5 vetë, sot industri e vërtetë sigurimesh. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", drejtori i Përgjithshëm i kësaj kompanie, Avni Ponari, ka treguar prioritetet e shoqërisë që ai drejton, sekretet e suksesit dhe objektivat për të ardhmen. SIGAL, sot, Sigal Uniqa Group Austria, e cila mban kryesimin e tregut të sigurimeve në Shqipëri, ishte e para që në gjirin e saj futi kapitalin e huaj në industrinë e sigurimeve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Dhe, siç e konsideron edhe vetë zoti Ponari, SIGAL është shkollë e industrisë së sigurimeve në Ballkan.
Një përmbledhje të shkurtër mbi historikun e SIGAL-it, pasi, kompania që ju drejtoni, përbën një histori suksesi të biznesit shqiptar...
Sot mbushen 10 vjet që SIGAL-i filloi aktivitetin e saj sigurues. Nuk janë shumë 10 vjet aktivitet, por kur mendoj se si SIGAL-i nisi aktivitetin e tij, gjërat më kalojnë para syve, sikur janë të arkivuara në një program "power point". Brenda secilës faqe ka një histori më vete, që vështirë të përshkruhen me fjalë. Jam përpjekur të hedh diçka në letër, por e pamundur për shumë arsye, pasi ngjarjet kanë rrjedhur kaq shpejt dhe ndoshta ngaqë kam dashur që të mbetet në kujtesën time, në vlerat e ditëve të sotme, pasi SIGAL-i tashmë është bërë një kompani e madhe dhe më duket sikur kështu ka qenë para 10 vitesh. Ndaj, është shumë e vështirë t'i përshkruash me fjalë e t'i ndash vështirësitë e rritjes, që janë të njëjta me vështirësitë e ruajtjes së pozicionit të liderit në tregun e sigurimeve.
Tri gjëra më kanë mbetur në mendje në atë periudhë, por që ja vlen t'i përmendësh, pasi ato japin në vetvete edhe thelbin e vështirësive dhe mentalitetin e 10 viteve më parë.
Krijimi i shoqërive aksionere në atë periudhë, ishte i vështirë dhe aq më tepër kompani sigurimesh, ku kapitali i investuar duhej të jepte fitim, minimumi në fund të muajit, ndërsa në shoqëri sigurimesh kërkon kohën e vet. Pra, nuk ishte e lehtë të përballeshe me një koncept të tillë. Ky ishte mentaliteti i biznesit në përgjithësi në ato vite dhe njëkohësisht dhe aksionerëve të SIGAL-it.
E dyta, SIGAL-i e filloi veprimtarinë me pesë vetë dhe kjo merret me mend se sa e vështirë ishte, pasi të tilla ishin burimet njerëzore në atë periudhë. Duhej ndërtuar një rrjet i tërë me njerëz, të cilët ishin pjesë e kësaj kulture sigurimi që ka populli ynë dhe që nuk dinin asgjë, ose pak nga industria e sigurimeve.
E treta, SIGAL-i ishte përballë një kompanie me mbi 40 milionë dollarë asete, ndërkohe që ne e filluam me një kapital prej 400 mijë dollarësh. Sot, kapitali i SIGAL-it është mbi 18 milionë euro.
Në gjuhën e shifrave, kush është SIGAL-i në këto 10 vjet?
Le t'u referohemi disa shifrave dhe fakteve: Të punësuar dhe agjentë, 750 vetë; kontrata sigurimi të shitura, 1.331.269; dëme të paguara, 27 milionë euro; taksa e tatime paguar shtetit, 22 milionë euro. Atëherë, këto tregues kanë qenë dhe shkaku pse një institucion financiar me reputacion, si UNIQA Group AUSTRIA, vendosi të investojë në këtë kompani. Ndoshta kjo pyetje duhet t'i bëhet bordit të UNIQA-s, që mori këtë vendim. Por, doja të theksoja që, lidhur me investimin e UNIQA Group AUSTRIA, do thosha ka qenë përzgjedhje e tyre, unë e kam marrë vesh shumë vonë, kur ato kishin bërë hulumtime në treg. Ato kishin kohë që testonin tregun shqiptar dhe njëra nga kompanitë që testonte nga jashtë, nga 8 shoqëri sigurimi Jo-Jete dhe tri shoqëri sigurimi jetë që kishte tregu, ishte edhe SIGAL-i. Personalisht, mendoj se, treguesit financiarë të SIGAL-it, rritja e shpejtë në vite dhe kryesimi i tregut shqiptar të sigurimeve, futja në treg herë pas here e produkteve të rinj, kanë shtyrë liderin europian të sigurimeve të investonte në SIGAL. Po kush është UNIQA? Një nga kompanitë lider në tregun europian të sigurimeve, e pranishme në 24 vende të Europës Qendrore e Lindore, me mbi 23 miliardë euro asete në menaxhim dhe me mbi 5.8 miliardë euro prime në vite.
Cila është gama e produkteve të sigurimit, që SIGAL-i mund t'u ofrojë kompanive ndërkombëtare që vijnë në Shqipëri?
SIGAL-i është kompania që prej 10 vitesh ka udhëhequr tregun e sigurimeve. Për këto vite, ajo i ka ofruar tregut të gjitha produktet që tregjet botërore u ofrojnë klientëve. Prandaj, SIGAL-i është sot në krye të tregut dhe ka mbi 6 vjet që mban pothuajse të njëjtën pjesë të tregut, 30 %, midis 11 kompanive. Ajo i ofron tregut investitor të gjitha llojet e sigurimeve dhe mbulon të gjitha rrisqet që kërkojnë klientët, pa asnjë kufizim, si në shumat e mbulimit dhe cilësinë e sigurimit. SIGAL-i, prej vitesh ka lidhje të qëndrueshme me tregun ndërkombëtar të sigurimeve dhe, në veçanti, me kompanitë më në zë në botë, si Munich Re dhe Swiss Re, që janë lider në botën e risigurimeve.
Sot, SIGAL Holding është e vetmja shoqëri sigurimi në Shqipëri, e licencuar për sigurimin e të gjitha klasave të sigurimeve të Jo-Jetës dhe të Jetës.
Le të theksojmë edhe një fakt shumë të rëndësishëm. UNIQA është një kompani e 'reating' në tregun botëror të sigurimeve, bile e 'reating' me A. Pra, dhe SIGAL-i, tashmë, është pjesë e këtij grupimi.
Në vitin 2010, UNIQA GROUP planifikon të zotërojë një pjesë shtesë në kompani. Sidoqoftë, si e shikoni të ardhmen e SIGAL-it, para 2010-ës?
SIGAL-i, natyrisht që po rritet me ritmet e tregut. UNIQA dhe SIGAL janë krenarë për njëri-tjetrin. Rritja e pjesëmarrjes së UNIQA-s në SIGAL, nuk do të ketë ndryshime as të produkteve dhe as të menaxhmentit. Rritja do të jetë rritje biznesi dhe, natyrisht, konsolidim i mëtejshëm, pasi përvoja e UNIQA-s është e madhe dhe do ketë edhe impakte më të mëdha në treg. Hyrja e UNIQA-s në tregun e sigurimeve në Shqipëri, ishte sukses dhe mbështetje për shtetin shqiptar, pasi ajo dha garanci të mëdha për të gjitha bizneset që po hynin dhe, njëkohësisht, zgjidhi një problem shume të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, pasi një investitor strategjik europian u vendos në Shqipëri dhe, pas kësaj, filluan të vinin dhe të tjerët. Pra, UNIQA hapi derën e madhe të garancive të biznesit dhe ajo që është më e rëndësishmja, garantoi tregun e sigurimeve në Shqipëri. Tani loja është e hapur, tregu mund të themi ka krijuar urat e tij të vazhdimësisë normale.
Imazhi i Shqipërisë si destinacion biznesi... Çfarë duhet të dinë lexuesit tanë nga perspektiva dhe eksperienca e SIGAL-it?
Historia e biznesit në Shqipëri është më shumë se dhjetëvjeçare, por më e rëndësishme është që, Shqipëria këto dhjetë vite ka ecur me nga dy dhjetëvjeçar njëherësh. Po të bësh dallimin midis viteve, do shohësh shumë ndryshime të mëdha dhe do thosha që, jemi në fillimet e konsolidimit të bizneseve në Shqipëri. Pra, është krijuar kultura e bizneseve të konsoliduara, çka do çojë në rritjen e mëtejshme të tyre.
Mendoj se ka një klimë biznesi në tërësi dhe ka ide zhvillimi për to. Ajo që duhet kuptuar është që biznesi është faktori i zhvillimit dhe mbështetja e tij, duke respektuar të drejtat e konsumatorit, do çojë në zhvillimin e shpejtë të vendit.
Tregu shqiptar e rriti SIGAL-in dhe tani ai është i sukseseshëm sa dhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni. Sot, SIGAL Kosova dhe SIGAL Maqedonia, janë ndër kompanitë që ecin me ritme më të shpejta zhvillimi në vendet e tyre përkatëse dhe janë pjesë të rëndësishme të strukturës rajonale të SIGAL Holding. Në shkurt 2006, SIGAL-i krijoi të parën dhe të vetmen shoqëri të risigurimeve në Shqipëri, duke u shndërruar kështu në të parën shoqëri risigurimi në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
"Finance Central Europe", i ka dhënë kompanisë SIGAL, që prej vitit 2005, çmimet "Shoqëria më e mirë e sigurimeve në Shqipëri", "Shoqëria më e mirë e sigurimeve në Shqipëri, sipas totalit
të primeve 'Gros Prim'", "Shoqëria më e mirë e sigurimeve në Shqipëri, sipas kthimit mbi aktivet (ROA)", "Shoqëria më e mirë e sigurimeve në Shqipëri, sipas fitimit bruto" dhe "Shoqëria më e Mirë e Sigurimeve në Shqipëri për 'Efektshmërinë e Investimit'".
Objektivi aktual i SIGAL-it është krijimi i stabilitetit për të gjitha palët e interesuara, që janë aksionerët, klientët dhe të siguruarit, punonjësit, agjentët, investitorët, media, administrata publike dhe Autoriteti Mbikëqyrës, komuniteti lokal dhe shoqëria civile në përgjithësi.