Jam një djalë që vuaj nga gjinekomastia. Kam rreth 15 vjet. Tani jam 30 vjeç, analizat më dalin mirë. E vetmja gjë që më ka ngelur pa bërë, është kirurgjia. Mund të më sugjeroni ndonjë zgjidhje, ndonjë ilaç? Faleminderit!

Ti thua se vuan nga gjinekomastia, kjo më lë të kuptoj se je vizituar tek doktori, ke bërë analiza dhe mendon se e vetmja gjë që të ka mbetur është operacioni.

Gjinjtë e tu të mëdhenj mund të jenë shkaktuar prej njërës nga këto dy arsye: nga gjinekomastia dhe pseudogjinekomastia. Kjo e fundit është emri për një sasi të tepërt të dhjamit të vendosur në gjinjtë e tu. Ndërsa gjinekomastia është një gjendje ku ka rritje të vërtetë të indit gjëndëror në gjinjtë e një burri. Kjo ndodh për shumë arsye, të cilat do t'i shpjegoj më poshtë.

Po qe se gjinjtë e tu të mëdhenj, kanë lidhje me dhjamin ekstra në muskulin tënd të gjoksit, atëherë në regjimin tënd ditor fut ushtrimet dhe dietën. Nuk ka afate se sa kohë do të duhet që gjinjtë e tu të marrin formën normale, por ushtrimet dhe të hash më mirë, do të bëjnë të ndjehesh dhe të dukesh më mirë.

Nuk ka nevojë të shkosh në palestër që të vish në formë, ka plot gjëra që mund t'i bësh në shtëpi. Ec, vrapo, hip në biçikletë. Bëj këto ushtrime tri ditë në javë, për 30-45 minuta çdo herë, në park ose në rrugë. Do të ishte mirë sikur të bëje disa ushtrime për forcim trupor. Në rastin tënd, pompat mund të ishin më të mirat, sepse këto formojnë mirë muskujt e gjoksit. Këto ushtrime bëhen kudo dhe kurdo. Ushqimi luan rol me rëndësi. Ha pesë deri gjashtë herë në ditë, në sasi të vogla. Kjo është më mirë se sa të rrish pa ngrënë. Zakonet dietetike ekstreme, si uria, janë jo vetëm të pashëndetshme, por nuk ulin në peshë për kohë të gjatë.

Bëj ushtrimet dhe ushqimin pjesë të jetës tënde të përditshme. Kjo është më mirë se sa të marrësh suplemente për të rënë në peshë. Ilaçet për të rënë në peshë, sipas studimeve më të fundit, janë një rregullim i shpejtë që nuk kanë sukses. E vetmja humbje në peshë, që kjo mënyrë garanton, është pesha e pareve që fluturojnë nga xhepi.

Tani të flasim për konditën e dytë, për gjinekomastinë si sëmundje.

Gjinekomasti quhet rritja e gjinjve tek djemtë ose burrat. Kjo rritje shkaktohet nga prishje e balancës midis hormonit estrogjen dhe testosteronit. Si rezultat i ndryshimeve në sasinë e hormoneve, të porsalindurit, djemtë në pubertet dhe burrat e moshuar, janë ata që vuajnë më shpesh nga gjinekomastia. Ka edhe shkaqe të tjera, veç atyre hormonale për gjinekomastinë.

Përgjithësisht, gjinekomastia nuk është një problem serioz, por e vështirë është që djali ose burri të pajtohet me këtë gjendje.

Burrat dhe djemtë me gjinekomasti, ndonjëherë, ndjejnë dhimbje të gjinjve, si dhe shqetësime të tjera.

Gjinekomastia mund të kalojë vetiu, por ka edhe mjekime që ndihmojnë të balancohet niveli i hormoneve. Në disa raste, kirurgjia që bëhet për të hequr inde nga gjinjtë, është një mundësi tjetër mjekimi.

Ju nuk thoni nëse keni ankesa, por po qe se keni ënjtje, dhimbje, forcim të gjinjve dhe rrjedhje nga thithkat e njërit, ose të dy gjinjve, ju duhet të shkoni tek doktori.

Gjinekomastia shfaqet kur ulet sasia e hormonit testosteron në krahasim me estrogjenin. Shkak për uljen e nivelit të testosteronit mund të jenë ato gjendje shëndetësore që bllokojnë ose pakësojnë efektin e testosteronit, ose ato gjendje që rritin nivelin e estrogjenit. Balanca hormonale prishet për këto arsye:

Nga ndryshimet hormonale; Nga përdorimi i disa barnave; Nga disa kondita mjekësore të veçanta.

Në 25% të rasteve me gjinekomasti, shkaku i saj nuk gjendet.

Balanca testosteron - estrogjen

Hormonet testosteron dhe estrogjen kontrollojnë zhvillimin dhe mbajtjen e karakteristikave seksuale tek burrat dhe gratë. Testosteroni kontrollon gjurmët mashkullore, siç janë masa muskulore dhe qimet e trupit; estrogjeni kontrollon shenjat femërore, midis tyre dhe rritja e gjinjve.

Shumica e njerëzve mendojnë se estrogjeni është një hormon ekskluzivisht femëror, por duhet të dini se estrogjeni prodhohet edhe në trupin e burrave, ndonëse në sasi të vogla. Estrogjeni tek burrat ndihmon të rregullohet densiteti i kockave, prodhimi i spermatozoideve dhe forma seksuale. Por, kur niveli i estrogjenit tek meshkujt është shumë i lartë ose është prishur balanca me nivelin e testosteronit, në këtë rast mund të shfaqet gjinekomastia.

Gjinekomastia tek të porsalindurit

Më shumë se gjysma e të porsalindurve, lindin me gjinj të rritur nga efekti i estrogjenit të nënës. Përgjithësisht, indet e gjirit të ënjtura kalojnë brenda 2-3 javësh pas lindjes.


Gjinekomastia gjatë pubertetit

Gjinekomastia që shkaktohet nga ndryshimet hormonale gjatë pubertetit, është e zakonshme. Në shumicën e rasteve, ënjtja e indit të gjinjve kalon pa mjekim, brenda gjashtë muajve, deri në dy ose tre vjet.

Gjinekomastia e burrave

Gjinekomastia e arrin pikun me rishfaqjen e saj midis moshës 50 dhe 80 vjeç. Më së paku, 25% e burrave të kësaj moshe preken nga gjinekomastia, si pasojë e rënies së nivelit të testosteronit.


Barnat si shkak i gjinekomastisë

Ka disa mjekime që mund të shkaktojnë gjinekomastinë. Këto barna janë:

Antiandrogjenët, që përdoren për të mjekuar zmadhimin e prostatës ose kancerin e saj, si dhe gjendje të tjera. Barnat që përdoren kundër AIDS-it. Gjinekomastia mund të zhvillohet në burrat HIV-pozitiv, që marrin mjekim dhe që quhet terapi antiretrovirale shumë aktive. Barnat që përdoren kundër ankthit Antidepresantët triciklikë Barnat që përdoren për ulcerën e stomakut. Kimioterapia kundër kancerit Barnat që përdoren për zemrën, siç është digitalisi dhe kalcium bllokuesit.

Drogat e rrugës dhe alkooli janë shkak për gjinekomasti

Steroidet anabolizante dhe androgjenët;
Alkooli;
Amphetaminat;
Marijuana;
Heroina.

Disa gjendje shëndetësore që shkaktojnë gjinekomasti

Disa gjendje shëndetësore shkaktojnë gjinekomasti, sepse ato prishin balancën normale të hormoneve. Këto gjendje janë:

Hypogonadismi - Të gjitha gjendjet që prishin prodhimin normal të testosteronit, siç janë sindromi klinefelter, ose insuficienca e hipofizës, japin gjinekomasti.

Ka disa prodhime bimore - Vajra bimore, çaj ose bimë që përdoren te shampot, te sapunët dhe te losionet, mund të shkaktojnë gjinekomasti.

Ti kërkon të dish për mjekimin e gjinjve të mëdhenj tek burrat. Siç thashë edhe më sipër, në shumicën e rasteve, gjinekomastia me kohë kalon pa mjekim. Por, në rastet kur gjinekomastia është shkaktuar nga gjendje shëndetësore, si hypogonadismi, nga kequshqimi, ose nga cirroza, këto gjendje duhet të mjekohen nga doktori. Ti nuk thua se përdor ndonjë mjekim, por po qe se përdor barna nga ato që shkaktojnë gjinekomasti, doktori mund të rekomandojë që t'i ndërpresësh ato, ose t'i zëvendësojë me të tjera.

Ti e ke kaluar adoleshencën, tani je 30 vjeç, por tek adoleshentët që nuk kanë shkak të dukshëm për gjinekomasti, doktori mund të rekomandojë rivlerësim periodik çdo 3 -6 muaj, për të parë nëse përmirësimi ndodh vetiu. Te adoleshentët, gjinekomastia kalon pa mjekim brenda tre vjetëve. Por, kur gjinekomastia shkakton dhimbje të forta, forcim të gjinjve, shqetësime dhe nuk duket se do të kalojë vetiu, mjekimi është i domosdoshëm.

Çfarë mjekimesh përdoren për gjinekomastinë?

Barnat që përdoren për mjekimin e kancerit të gjirit, si tanoxifeni dhe raloxifeni mund të ndihmojnë. Këto duhet t'i marrësh patjetër me rekomandim të doktorit.

Ti je i interesuar për kirurgjinë. Po qe se gjinjtë e tu janë rritur shumë dhe vazhdojnë të rriten pavarësisht mjekimeve që bën, doktori mund të rekomandojë operacionin.

Ka dy tipa operacionesh që përdoren për gjinekomastinë:

Ti je i shqetësuar, sepse zmadhimi i gjinjve për një burrë, ose një djalë, është një stres dhe shqetësim. Gjinekomastia është vështirë të fshihet dhe është një shqetësim për çdo djalë që ka marrëdhënie romantike. Në pubertet djemtë me gjinekomasti janë objekt i talljeve të shokëve. Kjo gjendje i pengon ata të marrin pjesë në aktivitete sportive, siç është noti, ose të zhvishen për lodra sportive.

Në çdo moshë, djalë, ose burrë, siç je edhe ti, atyre u duket sikur trupi i ka tradhtuar dhe ndjehen të pakënaqur me trupin e tyre. Këto ndjenja janë të natyrshme, por duhet të mësohen që të ndihmojnë veten.

Në vendet e përparuara përdoren konsultimet terapeutike, që ndihmojnë të evitohet ankthi dhe depresioni që shkakton gjinekomastia. Është mirë të komunikohet me familjen ose partnerët seksualë për gjendjen që po kalojnë. Edhe pse kjo është e vështirë, bisedimi i hapur me ta do të ta lehtësojë situatën dhe do të pakësojë stresin.

Është mirë të lidhen me shokë të tjerë që kanë gjinekomasti. Eksperienca e tyre do të ndihmojë.

Për të pakësuar rrezikun e gjinekomastisë, kurrë nuk duhen të përdoren:

Drogat ilegale, si steroidet, androgenët, amphetaminat, heroina dhe marijuana; të mos përdoret alkool dhe pije alkoolike të tjera; të rishikohen edhe njëherë barnat që përdorin. Të konsultohen me doktorin po qe se përdorin barna që shkaktojnë gjinekomastinë. Në mbyllje të përgjigjes, të uroj shëndet dhe fat!

Doktori

harxhi@yahoo.com