Kreu i FSHF-së ka vizituar dje Akademinë e Futbollit në Fier, duke u shprehur se organizimi është i krahasueshëm me klubet europiane. Premtohet stadiumi i ri mes Fierit dhe Vlorës

FIER – “Akademia e futbollit Apollonia është shkolla më e mirë e futbollit në Shqipëri. Edhe vetë Apollonia është një klub i organizuar më së miri dhe në këtë fushë mund të krahasohet me klubet europiane të futbollit”.

Ky është vlerësimi i dhënë dje nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, gjatë një vizite në akademinë e Futbollit Apollonia. Kreu i FSHF-së ka dhënë “OK-in” e tij dje edhe për ndërtimin e një stadiumi të ri në qytetin e Fierit. Ky stadium do t’i shërbejë edhe qytetit të Vlorës.

Kreu i FSHF-së, Duka, e ka nisur vizitën dje në mesditë në ambientet e Akademisë së Futbollit të Klubit Apollonia. Të pranishëm ishin edhe Presidenti i Klubit të futbollit të Apollonisë, njëherësh edhe kryetari i bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, si dhe aksionari kryesor i klubit, Koço Kokëdhima.

Presidenti Zeqaj ka përshëndetur zotin Duka për kontributin e madh që ka dhënë për gjithë infrastrukturën e futbollit në qytetin e Fierit, siç është tapeti i dy anekseve të stadiumit dhe ndriçimi. “Kjo tregon se bashkëpunimi me Federatën ka qenë shumë i frytshëm dhe ambiciet tona për të ardhmen janë akoma më të mëdha”, – u shpreh Zeqaj.

Ndërkohë, ai ka shtuar se është duke biseduar për ndërtimin e një stadium të ri në qytetin e Fierit, i cili do të jetë një marrëveshje midis Federatës, bashkisë Fier, bashkisë Vlorë dhe “2K Group”. Ndërkohë, z. Duka në fjalën e tij është shprehur se ndjehet mirë nga ajo që ka parë dhe është ndërtuar në Klubin e Futbollit të Apollonisë.

“Mund të them se është një nga klubet më të zhvilluara në Shqipëri në drejtim të infrastrukturës dhe organizimit të klubit. Kjo është e meritë e vetë klubit Apollonia, presidentit të saj dhe stafit teknik. Apollonia është një klub i organizuar shumë mirë i krahasueshëm me nivelet europiane. Këtu ndodhen fushat e stërvitjes dhe gjithçka tjetër që i duhet një klubi sportiv.

Sot jemi këtu në këtë Akademi me një ide të bashkisë së Fierit dhe asaj të Vlorës me një stadium të përbashkët, i cili do t’iu shërbejë dy qyteteve diku në mes të rrugës Vlorë-Fier, për të cilën kërkohet edhe mbështetja e Federatës së Futbollit.

Unë i kam shprehur vullnetin e mirë të federatës dhe mund të marrim pjesë dhe ta shtyjmë këtë projekt së bashku për realizimin dhe përfundimin në një afat tre deri në katërvjeçar”, – tha Duka. Ai sqaroi se eksperienca e deritanishme me klubin Apollonia ka treguar se çdo projekt që merret përsipër, realizohet. Duka ka marrë si shembull Akademinë, por edhe projektet e tjera të realizuara në Fier.

Dje në Fier, Duka ka komentuar edhe skenat e dhunës që janë parë shpesh në stadiumet shqiptare. Ai e ka konsideruar këtë si një fenomen të lidhur ngushtë me shoqërinë dhe jetën e shqiptarëve në përgjithësi. “Futbolli shqiptar ka përmirësime të dukshme, si çdo fushë tjetër e jetës, por asnjëherë nuk mund të kërkojmë që futbolli të jetë me vite dritë para shoqërisë shqiptare.

Këto janë fenomene e që e mundojnë shoqërinë shqiptare dhe mundojnë futbollin shqiptar. Detyra jonë është që të bëjmë reforma të vazhdueshme dhe të ndahemi dhe të minimizojmë këto fenomene që shfaqen në fushën tonë”, – tha Armando Duka.