Janë luajtur edhe dy ndeshje të tjera të javës së 17-të të superligës shqiptare në futboll, duke e çuar në tri të tilla, në këtë kuadër, pas asaj të së premtes në Krujë, mes Kastriotit dhe Flamurtarit, e fituar nga miqtë me rezultatin 2-1. Një ditë më pas, të shtunën, ka luajtur edhe Vllaznia me Besën në Shkodër, ndeshje që ka përfunduar 2-1 për kuqeblutë, por edhe Bylisi me Lacin, në Ballsh, ku kanë triumfuar miqtë kurbinas, me rezultatin 2-1. Por, ajo që ka ardhur si një vendim zyrtar i FSHF-së, pasditen e së shtunës, ka të bëjë me shtyrjen e tri ndeshjeve të mbetura të kësaj jave, të planifikuara të zhvilloheshin të dielën dhe të hënën. Respektivisht, në Peqin, Shkumbini me Teutën dhe në “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasani me Dinamon (të dielën), ndërkohjë që të hënën ishte planifikuar supersfida përmbyllëse e kësaj jave, Tirana-Skënderbeu. Mesa duket situata e acaruar dhe mjaft e tensionuar, që prodhoi demonstrata para Kryeminstrisë, e cila prodhoi edhe tri viktima të pafajshme, ka dërguar edhe në këtë vendim të FSHF-së, që t’i shtyjë ndeshjet në fjalë, duke evituar ndonjë elektrizim të tyre nga situata politike. Gjithashtu, merret vesh se një gjë e tillë i është kërkuar FSHF-së edhe nga Policia e Shtetit, e cila nuk e ka edhe aq shumë mendjen te ndeshjet e futbollit, port e mbajtja e gjendjes nën kontroll, e cila, nga cfarë tregoi edhe demonstrate e së premtes, është jo pak e ndezur në vend. Kësisoji, është vendosur që tri ndeshjet e mbetura të javës së 17-të të superligës të shtyhen për një datë tjetër, sikurse ka njoftuar FSHF-ja, në një të ardhme të afërt, e cila mbetet të saktësohet definitivisht.