Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, në 20 shkurt 1991, është padyshim një ndër ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri. Sot mbushen plot 20 vjet nga ajo ditë. Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, ndodhi në një situatë të rënduar politike në vend. Kishte vetëm dy muaj që ishte themeluar Partia Demokratike, dhe ishte shpallur dita e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, në 31 mars 91.


Revolta popullore kishte nisur qysh me protestat e studentëve më fund të dhjetorit, për tu shpërndarë më pas në çdo qytet të vendit. Rrëzimi i busteve të diktatorëve komunistë kishte nisur në Shkodër me rrëzimin e bustit të Stalinit dhe po shpërndahej me shpejtësi në gjithë vendin, me rrëzimin e busteve të Enver Hoxhës. Një natë para shembjes së bustit në qendër të Tiranës, një grup i madh studentësh vendosën të hyjnë në grevë urie, duke përcaktuar një sërë kushtesh drejtuar qeverisë së PPSH, ndër të cilat edhe heqjen e emrit Enver Hoxha universitetit të Tiranës. Ditën e 20 shkurtit në sheshin Skënderbej, u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha.


Por pas rrëzimit të busteve dhe simbolikës së tyre, mbetej një bust tjetër për t'u rrëzuar, një bust që ndoshta s'ishte prej bronxi, por shumë më i vështirë për tu rrëzuar: PPSH. Byroja e PPSH e kuptoi menjëherë situatën dhe nxitoi të parandalonte zhvillimet, të cilat dukej qartë se ku po drejtoheshin. Filluan antimitingjet e PPSH-së kundër rrëzimit të busteve.


Fillimisht ato u organizuan në zonat rurale, nëpër fshatra, aty, ku në të vërtetë nuk kishte buste. Në fakt u krijua një situatë e polarizuar, dhe shqetësimi për kaos u kthye në realitet brenda pak ditësh. Një dekret i kuvendit popullor i datës 23 janar 1991, parashikon respektimin dhe mbrotjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simboleve shtetërore, ku përfshihej busti i Enver Hoxhës. Sipas dekretit dënohej me 6 muaj deri në tre vjet burg ai shtetas që dhunon monumente kulture, siç janë bustet e figurave të shquara, nga Skënderbeu e deri te Enver Hoxha.


Menjëherë pas këtij dekreti, më 1 shkurt 1991, ndodhën disa ndryshime të rëndësishme në Këshillin e Ministrave. U bënë shkarkime në disa dikastere të rëndësishme, dhe në vend të të shkarkuarve, u emëruan një grup intelektualësh të fushave të ndryshme. Fatos Nano u lirua nga detyra e sekretarit të përgjithshëm të këshillit të ministrave dhe u emërua zëvendëskryetar i këshillit të ministrave. Shkëlqim Cani u emërua zëvendëskryetar i këshillit të ministrave.


Ahmet Kamberi u lirua nga detyra e ministrit të shëndetësisë. Sabit Brokaj u emërua Ministër i Shëndetësisë, Alfred Uçi u shkarkua nga detyra e kryetarit të komitetit të kulturës dhe të arteve. Moikom Zeqo u emërua kryetar i komitetit të kulturës dhe arteve. Aleks Luarasi u emërua sekretar i përgjithshëm i këshillit të ministrave. Ndërkohë fushata elektorale e dy partive, PPSH e PD po vazhdonte intensivisht. Një debat mbi hapjen e dosjeve të komunizmit u fanit menjëherë.


Partitë rivale, mund të shfrytëzonin vetëm gazetat e tyre për të realizuar objektivat e fushatës. Në gazetën zyrtare të PD-së,"Rilindja Demokratike", të datës 26 janar 1991, pedagogu i pikturës në akadaminë e arteve, i njohur si një ndër figurat antikomuniste më radikale të fillim viteve '90, Edi Rama, shkroi një artikull kundër dekretit të kuvendit popullor, sipas të cilit dënoheshin me burg ata që dhunonin përmendoret e heronjve, ku bashkë me Skënderbeun përfshiheshin edhe bustet e diktatorit Hoxha.


Rama shkruan: "Nuk dija ndonjë rast, që populli të sulmojë përmendoret e heronjve të tij". Një ditë më vonë, ZP i përgjigje Ramës me një kundër-artikull, ku shkruhej: "Edi Rama, mos vallë ti je përkrahës i atyre që duan t'i shembin monumentet. Nëse je, thuaje troç dhe populli pastaj, do të gjykojë më saktë se kush i shërben anarkisë, ti apo ligjet e shtetit, e ata që i zbatojnë ato.."