Bluzat e bardha nuk i njohin të drejtat e pacientëve, por edhe këta të fundit nuk është se kanë informacion mbi të drejtat që gëzojnë. Ky është konkluzioni i një studimi të mbështetur nga fondacioni Soros që u prezantua ditën e djeshme nga Qendra Kombëtare e Cilësisë së Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSA). Për këtë arsye u prezantua po dje gjatë një seminari në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë edhe Karta për të Drejtat e Pacientëve, një dokument unikal që synon të informojë doktorët edhe pacientët vetë rreth të drejtave të këtyre të fundit. Kjo kartë përmban 16 pika të detyrueshme të zbatohen nga personali shëndetësor dhe institucionet shëndetësore. Mirëpo ky dokument, një rregullore e miratuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë që u garanton pacientëve në qendrat shëndetësore një sërë të drejtash, rezulton i panjohur për një pjesë të punonjësve në sistemin shëndetësor në vend. Sipas studimit të realizuar në 13 spitale rajonale, përfshi edhe spitalet e kryeqytetit, rezulton se ka probleme të dukshme me njohjen dhe garantimin e të drejtave të pacientëve. "Ka aspekte që respektive, në këtë drejtim, por ka edhe një sërë mangësish", pohoi doktori i njohur Isuf Kalo, sipas të cilit 36% e mjekëve i njohin plotësisht të drejtat e pacientit, 55% i njohin pjesërisht, ndërkohë që 9% nuk i njohin aspak këto të drejta. Studimi u krye përmes një ankete, së cilës iu përgjigjën edhe vetë pacientët. Nga 260 pyetësorë të plotësuar nga vetë pacientët rezulton se 50% prej tyre nuk i njohin të drejtat e tyre, 25% i njohin pjesërisht, ndërkohë që 25% të tjerë njohin plotësisht këto të drejta. Ndërkohë pacientët e pyetur nga gazeta konfirmojnë se nuk i njohin të drejta e tyre por do të ishte e domosdoshme që këto të drejta më shumë se të bëhen të njohura të fillojnë të respective nga personeli shëndetësor.

Kush paguan dëmin, doktori apo spitali?

"Karta e të Drejtave të pacientëve duhet të njihet dhe të zbatohet. Është e rëndësishme që të gjithë aktorët të punojnë për informimin dhe zbatimin e kësaj karte", u shpreh Valbona Çarçani përgjegjëse e programit të shëndetit pranë Fondacionit SOROS. Ndërkohë të pranishmit në seminar theksuan se kjo kartë duhet të bëhet ligj në të kundërt nuk do të ishte e zbatueshme. "Nëse në pikën 14 thuhet se pacienti ka të drejtë për kompensim në rast se dëmtohet nga ndonjë gabim mjekësor, këtu nuk shpjegohet nëse kompensimi do të jetë nga institucioni ku shaktohet dëmtimi apo nga individi, punonjës i këtij institucioni që e shakton këtë dëmtim", u theksua në seminar nga të pranishmit.



Karta Shqiptare e të Drejtave të Pacientëve

1 E drejta për masat parandaluese 2 E drejta për akses 3 E drejta për Informim 4. E drejta për pëlqim 5. E drejta për Zgjidhje të lirë 6. E drejta për privatësi dhe konfidencialitete 7. E drejta e respektimit të kohës së pacientit 8. E drejta për të marrë shërbim shëndetësor cilësor të standardeve të larta. 9. E drejta për shërbim të shëndetësor të sigurtë dhe të mbrojtur nga rreziqet 10. E drejta për të përfituar nga novacionet dhe arritjet shkencore bashkëkohore mjekësore. 11. E drejta për të evituar vuajtjen dhe dhimbjen e panevojshme 12. E drejta për trajtimin në bazë të veçorive individuale 13. E drejta për ankimim 14. E drejta për kompensim 15. E drejta për t'u organizuar Aktivisht në shoqata joqeveritare për të bërë avokatin/mbrojtësin e të drejtave të pacientit. 16. E drejta për të marrë pjesë aktive në politikëbërjen në fushën e shëndetësisë dhe përmirësimin e cilësisë në sistemin shëndetësor