Meri Uoren si të tjerë personazhe në dramën "Shtrigat e Salemit" merr shkas nga një figurë e vërtetë e historisë së Salemit në verën e vitit 1692, që ashtu si gjithë të tjerët, dramaturgu Artur Miler atë e ka rikrijuar. Përshkrimi i tij për Meri Uorens është ky: shtatëmbëdhjetëvjeçare, servile, naive, e vetmuar.
Aktorja Eni Jani është ky personazh. Dhe më shumë.

Para dhe pas premierave dritat bien zakonisht mbi ata që suksesin e kanë me vete sepse kanë emër stari. Ka të tjerë, emrat e të cilëve publikut akoma nuk i thonë ndonjë gjë të madhe. Këta, të fundit e rreshtit, qëllon ta vjedhin spektaklin.

Ka ndodhur në shfaqjet e fundit të spektaklit të gjallë, në teatër apo opera. Nuk ishte Romeo, po Parizi, në premierën e fundit në Teatrin e Metropolit; nuk ishte Inva Mula (te "Përrallat e Hofmanit" megjithëse ajo i korri duartrokitjet) po Vikena Kamenica; nuk ishte Eva Alikaj, as edhe Elia Zaharia, po Eni Jani.

Ky emër i fundit, Eni Jani, grua dhe nënë e re në jetën e vërtetë, nuk ka pjesën e luanit në shfaqjen që ka zënë fundjavat në Teatrin Kombëtar. Nuk është as aktore e trupës stabël, as kushedi sa e kërkuar.

Personazhi i saj, Meri Uoren, e shtegtoi dritën e vet tek ata me të cilët ajo jepte dhe merrte, duke dhënë diçka të madhe për një aktor e që protagonistët e kësaj shfaqje, e kursejnë (Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Flaura Kuretën, Naun Shundin).

Spektatori i sheh banorët e Salemit të kapur brenda një skeme regjisoriale, ndërsa kjo Meri Uoren është e plotë, edhe pse e ndarë: ajo duhet të jetë edhe kjo edhe ajo, ajo që beson në djall dhe ajo beson në Zot, që nuk është e pushtuar nga shpirtrat, por nuk është as e lirë, që është shërbyesja, është edhe e pabindura.

Një portret që rrëshqet sa në turbullirë në ndërgjegjësime të shkurtra si masa elektrike. Të dyja anë të mbajtura nën kontroll nga Eni deri në skenën, e fundit për të, kur dorëzohet në krahët e shtrigave, me të njëjtën dinamikë. Të mendosh që vetë shfaqja nuk e përmbushë njëfarë ritmi.

Njëherë, një zonjë e mençur e teatrit thotë për Roland Trebickën: ju mund të mos e doni prirjen e tij komike, përsëritjet nga njëri personazh në tjetrin, por nuk mund të mos e doni bujarinë e tij. Keni dëgjuar për aktorë bujarë, aktorë që e ndajnë veten me kolegët në skenë? Trebicka është aktor bujar.

Në këtë kuptim, loja e Enit shfaqet me një frymëmarrje të thellë dhe një hapje krahësh në gjithë spektaklin.
Pa takt, aty gënjen, aty mohon, aty e refuzon magjinë e aty është gati tërhiqet, ka frikë të jetë vetëm, i ka frikë dhe të tjerët, nuk di të jetë vetja, akuzon të pafajshëm, pastaj kthehet te turma e manipuluar, të cilës i përket.

Tekembramja, ky karakter i përpunueshëm sipas rrethanave është në natyrën e një modeli historik dhe psikologjik që Mileri ndërton për secilin nga personazhet e "Shtrigave të Salemit". Jo më kot, e ashtuquajtura "gjueti shtrigash", mori një kuptim të përditësuar universal pas vënies në skenë të dramës së Milerit: të dënosh dikë pa të drejtë, të ndërmarrësh një fushatë ndaj njerëzve të pafajshëm, të cilët ligji, para se t'ua provojë fajësinë, ua ka venë shenjën e personave të rrezikshëm për moralin fetar, shoqëror, politik.


Kur turma përfshihet në këtë gjyq, e keqja ndodh në përmasa të mëdha.
Meri Uoren e vjell të vërtetën, nuk ia mban barku. Një vajzë në pubertet, që referuar sjelljeve të paqëndrueshme, nuk ia ke sigurinë nga do të priret pjekuria e saj. Eni e jep qartë këtë aspekt të pastabilizuar psikologjik të Meri Uorenit dhe ka realizuar një portret të shkëlqyer.


A ka shpresë në rrethana të pafavorshme?
Është afërsisht dy herë më shumë se mosha e personazhit, Meri Uoren. Aktorja ka një portret të freskët prej të parriture, që të afron me imazhin e Anna Karinas, pa sytë e shkruar.

Përvoja e Eni Janit në kinema dhe teatër nuk është kushedi çfarë. E natyrshme po të kesh parasysh panoramën dramaturgjike që kanë krijuar autorët e sotëm shqiptarë. Nuk kanë shkruar histori për të qenë dhe as kanë krijuar personazhe për të qenë. Çfarë mund ta mbajë tjetër në këmbë një vepër?

Edhe aktorët janë viktima të këtij regresi dramaturgjik më njërën anë dhe regjisorial në anën tjetër.
Rruga artistike që ka bërë Eni Jani, i ruan gjurmët e të dyja anëve të medaljes.
Koha i ka marrë me vete figurat e saj te filmi "Natë me hënë" e Artan Minarollit, 2004, apo telenovela "Njerëz dhe Fate" e Ylli Pepos, në ekranin TVSH-së.

S'ka arsye ta mbash mend për mirë lojën e saj në skenën e Teatrit Kombëtar me një komedi si të Bashkim Hoxhës, "Ne të gjithë këndonim Margaritën" 2007. Po as Sonjën e saj te versioni regjisorial i "Xhaxha Vanjës" së Çehovit nga Hervin Çuli në vitin 2006.

Pastaj thua prit pak, kur e ke parë të luajë Ljubova Andrejevna në të njëjtën vepër, më 2009 me regji të Kiço Londos dhe po atë vit, për figurën e Mirandolinës te "E zonja e Bujtinës" 2009, me regji të Çulit.

Në skenat tona po ndodh të shohim përherë e më tepër artistë që reflektojnë ushqimin që hanë dhe jetën që bëjnë. Me fjalë të tjera, e kanë humbur maskën shumëfytyrëshe të aktorit, aftësinë për të folur me mjetet bazë, zërin dhe trupin, po edhe ato që kryejnë operacionet bazë, shpirti dhe mendja. Kemi parë se si është bjerrë një trashëgimi e aktrimit të mirë.

Prandaj kjo përshëndetje për Eni Janin, nxënësen për pak kohë të aktores Drita Pelinku (ishin bashkë por nuk këmbyen ndonjë batutë mes tyre te "Shtrigat..").