Emirjon Senja

Qeveria dhe Banka e Shqipërisë po përgatiten për zhvillime negative në sistemin bankar. Zhvillimet në tregun bankar, por edhe ecuria e ekonomisë së vendit, po detyrojnë Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave që të miratojnë një mori rregulloresh dhe ligjesh për rritjen e kontrollit dhe të minimizimin e dëmeve në rast të ndonjë falimentimi. Pas miratimit pak ditë më parë të një rregulloreje të veçantë, ku përcaktoheshin me detaje procedurat që duhet të ndiqte banka në lidhje kreditë me probleme, Ministria e Financave vjen sëfundmi me disa ndryshime në ligjin e bankave, të cilat në thelb kanë të bëjnë me marrjen e masave për mbrojtjen e filialeve të bankave të huaja në vendin tonë në rast të falimentimit të bankave mëma. Janë plot 25 nene të reja që financat propozojnë t’i shtojnë ligjit për bankat në vend me synimin e vetëm: Përcaktimin e procedurave të falimentimit të bankave dhe shpëtimin e asaj ç’ka mund të shpëtohet nga degët e bankave të huaja mëmë në rast të falimentimit të këtyre të fundit.

Shoëtimi shihet tek ndarja e degëve të bankave që operojnë në Shqipëri nga ato mëma në rast rreziku.  Kjo bëhet ose me kërkesë të bankave mëma ose me urdhër të Bankës së Shqipërisë. Në rastet kur rrezikojnë të falimentojnë, bankat mëma kanë të drejtë që t’i kërkojnë Bankës së Shqipërisë që dega e saj në Shqipëri të funksionojë si filial i veçantë i mbështetur në kapitalin e saj. Kur BSH vlerëson se një veprim i tillë rrezikon të gjithë sistemin bankar të Shqipërisë mund t’a kthejë mbrapsht kërkesën. Të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit i kërkon bankës mëmë që të lejojë shndërrimin e degës së saj në filial të veçantë për administrimin e riskut. “Banka e huaj, e cila ushtron veprimtari bankare në territorin e RSH, mund të shndërrojë degën e saj në një filial, në formën e shoqërisë aksionare nëpërmjet regjistrimit të kapitalit të dhuruar në aksione të nënshtruara nga banka e huaj. Shndërrimi i degës së huaj në filial/bankë vendase është i detyrueshëm kur gjykohet i nevojshëm me vendim të Bankës së Shqipërisë për arsye të administrimit të riskut sistematik”, – përcaktohet në ndryshimet ligjore të propozuara nga Ministria e Financave në ligjin për bankat. Me rrezik sistematik kuptohet rreziku që kërcënon sistemin bankar nga zhvillime negative, siç do të ishte falimentimi i ndonjë banke që do të vinte në dyshim të gjithë sistemin. Ligji sapo është dërguar në Kuvend dhe pritet të kalojë në ditët në vijim për shqyrtim në Komisionin e Ekonomisë.

 

 

Pse po ndryshon tani ligji i bankave

Mbrojtja e bankave vendase nga rreziku i falimentimit të bankave mëma është veprimi i radhës i Bankës së Shqipërisë në drejtim të rritjes së kontrollit mbi sistemin bankar. Brenda pak javësh, BSH, por edhe Ministria e Financave kanë ndërmarrë një mori rregullimesh në funksionimin e sistemit bankar në vend. Të gjitha këto veprime bëhen në një situatë jo të favorshme për bankat. Nga njëra anë kemi rritjen e kredive me probleme dhe nga ana tjetër uljen e ritmeve të rritjes së ekonomisë së vendit. Të kombinuara sëbashku, këto dy tregues janë situata më e papërshtatshme për funksionimin normalisht të bankave.

Deri në fund të muajit gusht, niveli i kredive me probleme përllogaritet në rreth 18 për qind të portofolit të kredisë së bankave nga 17.1 për qind që ishte në muajin korrik. Në total, përllogaritet që shuma e kredive me probleme të jetë rreth 950 milionë dollarë me një rritje 9 milionë dollarë vetëm përgjatë një muaji. Rritja e kredive me probleme është shoqëruar me ulje të fitimeve të bankave.

Ndryshimet vijnë në një kohë kur një numër jo i vogël vendesh të Bashkimit Evropiane janë duke vuajtur krizën më të thellë të borxheve. Nisur nga zhvillimet e pak ditëve më parë në lidhje me faljen e borxhit grek, do të jetë përsëri sistemi bankar që do të përballojë një humbje që llogaritet në rreth 5.5 milionë euro. Kjo shumë, është sa rreth 10 për qind e fitimit vjetor të sistemit bankar në Shqipëri, i cili tashmë do t’i mungojë. Tjetër shkak duket të jetë edhe ulja e ritmeve rritëse të ekonomisë së vendit. Në këtë situatë, bizneset dhe individët janë më pak të prirur për të marrë kredi, ndërkohë që rritet numri i atyre që hasin probleme në shlyerjen e kredive.

Të dhënat tregojnë se ka një shtrëngim të kushteve të kredisë nga ana e bankave. Dy ndër kreditë që kanë pësuar shtrëngimin më të madh janë ato për financim konsumi, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me kreditë konsumatore dhe kreditë për blerje banesash. Këto të dyja janë pikërisht edhe pjesa më e madhe e portofolit të bankave, por edhe më të kërkuarat nga qytetarët. Kështu përshembull, kreditë për financim konsumi pësuan një shtrëngim të kushteve me 24.6 për qind, ndërkohë që ato për blerje banese u shtrënguan me 7.7 për qind krahasuar me tre mujorin paraardhës.

 

 

Rritet kontrolli i Bankës së Shqipërisë ndaj sistemit bankar

Ndryshimet ligjore të propozuara nga Ministria e Financave rrisin së tepërmi rolin e Bankës së Shqipërisë në kontrollin e sistemit bankar. Në çdo rast falimentimi, Banka e Shqipërisë mund të ngrejë me vendim të saj një bankë tjetër, të quajtur “bankë urë”. Kjo e fundit do të merret me administrimin e pjesës së shëndetshme të bankës që është duke falimentuar. Banka urë administrohet kryesisht nga Banka e Shqipërisë. Pra, në rast të problemeve të mëdha apo falimentimit të ndonjë banke tregtare në vend, do të jetë Banka e Shqipërisë ajo që do të merret me veprimet e mëpasshme, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me likuidimin e plotë ose marrjen nën kujdestari. “Me vendimin për krijimin e bankës urë, Banka e Shqipërisë përcakton dhe të drejtat apa setet që do të marrë përsipër apo do të blejë banka urë, si dhe detyrimet që do t’i transferohen asaj nga banka me probleme. Bankës urë, i transferohen operacionet e bankës me probleme, që mund të vendoset ose është vendosur në kujdestari ose likuidim të detyruar”, – përcaktohet në ligj. Në çdo rast, banka urë administron depozitat e trashëguara nga banka me probleme. Vlen për t’u përmendur që depozitat nën vlerën 2.5 milionë lekë janë të mbrojtura me ligj dhe i kthehen depozituesit edhe në rast të ndonjë falimentimi. Banka urë është një formë kalimtare deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare në lidhje me bankën që është duke falimentuar. Krijimi i saj bëhet me qëllim vazhdimin e procedurave edhe pse banka në fjalë mund të ketë probleme.

 

Kategorizimi i kredive

1-Kredi standard

Pagesa bëhet 1 deri 30 ditë me vonesë

 

2-Kredi në ndjekje

Pagesa bëhet 31 deri 90 ditë me vonesë nga data e paracaktuar

 

3-Kredi nën standard

Pagesa bëhet 91 deri 180 ditë me vonesë nga afati i paracaktuar

 

4-Kredi në dyshim

Afati

Pagesa e kësteve bëhet 181 deri 365 ditë me vonesë nga data e paracaktuar

 

5-Kredi të humbura

Afati

Vonesa zgjat më shumë se 365 ditë nga data e paracaktuar