Prof. Asc. Pëllumb Karameta

MASH po përpiqet sërish të reformojë kurrikulin e arsimit bazë. Në këtë kontekst, një nga fokuset e munguar të kësaj përpjekjeje duhet të jetë integrimi kurrikular. Si koncept, ai përbën një objekt me vlera shumëfishe që lidh shkollën me jetën, pasi nënkupton përpjekjet që bëhen që nxënësit/studentët të mund të mbartin në jetën jashtë shkollës atë ndërtojnë në mjediset e saj të nxënies. I kuptuar kësisoj, integrimi kurrikular është antipodi i qasjeve kurrikulare ndarëse, antipatia për të cilat nuk është e re. Në arsim, p.sh., integrimi dallon filozofinë bazale të një prej edukatorëve më të mëdhenj të Amerikës, Xhon Djui (John Dewey). “Lidhni shkollën me jetën – thoshte ai – dhe do të lidhen patjetër të gjithë studimet”.

Ndërmjet rekomandimeve shfaqur dekadat e fundit, po përmend, p.sh., përpjekjet për të përmirësuar integrimin në funksion të ndërtimit të kuptimeve nga të gjithë subjektet, që u bë fokusi i Komisionit Ndërkombëtar të Arsimit në Shekullin 21 (Komisioni Delor, 1996), si dhe reformat e dekadës së fundit, që konsiderojnë kompetencën organizator të kurrikulit. Kërkuesit mendojnë se integrimi funksional do të rritë përfshirjen dhe motivimin e studentëve, do të përmirësojë mjeshtërimin e kompetencave dhe do të mundësojë që nxëniet akademike të mbarten më mirë në situatat e jetës reale.

Një nga forcat lëvizëse bashkëkohore, që bën thirrje për integrim kurrikular është nevoja për të rindërtuar strategji, burime dhe përmbajtje mësimore që vijnë nga shpërthimi i informacionit. Siç përshkruan Heidi H. Jacobs “… ndërsa dita shkollore ka mbetur e njëjtë, dijet janë shtuar. Kufijtë tradicionalë të kohës mësimore po fryhen, por shumë njohuri të reja, më të vlefshme, po humbasin në të çarat e fushave lëndore konvencionale ”.

Sot, në botën e zhvilluar, shkollat në vend që të përhapin dijet, po jetërsojnë përgjegjësinë që subjektet të menaxhojnë si duhet njohuritë. Strategjitë e reja i ndihmojnë mësimdhënësit (mësues e pedagogë) të planifikojnë, të përzgjedhin, të përdorin, të organizojnë, të zbatojnë dhe të vlerësojnë idetë dhe informacionin. Hartuesit e politikave arsimore këmbëngulin që tema të tilla si formimi mediatik, ai gjuhësor apo teknologjik të integrohen tej e ndarë kurrikulit dhe shkathtësitë dhe përmbajtjet e nxënies të përdorin një fokus ndërlëndor.

Jam i vetëdijshëm për morinë e faktorëve që ndikojnë suksesin ose dështimin e reformave arsimore dhe përpjekjet për integrimin kurrikular. Masat që duhen marrë kërkojnë fonde dhe kohë për zhvillimin profesional të mësimdhënësve; përpjekjet reformuese ndeshin vështirësi për të sinkronizuar në kohë ndryshimin e metodave të nxënies me ndryshimet në drejtim të burimeve mësimore dhe të standardeve të vlerësimit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që publiku të ndalojnë së kërkuari përmirësime dhe të pyesë: A mundet sistemi ynë arsimor të mbështetë nisma për integrimin dhe të demonstrojnë efektivitet, efiçencë dhe kërkesë llogarie?

Integrimi kurrikular sot perceptohet si mjet që inkurajon zërin e nxënësve/studentëve, që rrit përfshirjen aktive të tyre dhe që i orienton ata drejt kërkimit vetjak. Në përgjithësi, hulumtuesit mbështesin konceptin konstruktivist, që thekson se njohuria dallon nga dija e kodifikuar në tekste; se ajo nuk është thjesht e fituar, por ndërtohet dhe përdoret nga individi si rezultat i veprimtarisë së tij, ndikimit të shoqërisë dhe kulturës. Psikologu i shquar J. Piazhe përshkruante sesi kufijtë e arsimit janë shtyrë dhe janë sfiduar nga ata që mbrojnë qasjen integruese: “Objekti kryesor i një pune të tillë, i një pune që merret me tendencat dhe jo me rezultatet, me këndshikimet dhe studimin perspektiv të shkencave dhe jo thjesht me gjendjen e tyre aktuale, është i mjaftueshëm për të bërë të qartë se, në fakt, objekti i çdo prirje novatore është tkurrja e kufijve horizontalë të dijes dhe sfidimin tërthorazi i tyre. Prandaj, objekti i vërtetë i kërkimeve ndërdisiplinore është riformimi ose riorganizimi i fushave të dijes me anë të ndërkëmbimeve, të cilat, në fakt, janë kombinime të reja konstruktiviste.” (Piaget, 1973).

Disa kërkues, sikundër hartuesit tanë të kurrikulit, i kufizojnë synimet në riorganizimin e përmbajtjes në të gjitha ose brenda disiplinave apo në ri-planifikimin e kurrikulit dhe e shohin ndryshimin më shumë si rigrupim të disiplinave në tema ndërdisiplinore, si riorganizim të lëndëve dhe mësimeve në njësi ndërdisiplinore, pa përmirësuar ose rritur kuptimin ose lidhjet e vendosura nga subjektet. Kjo           qasje dallon nga mendimet e kërkuesve të tjerë, të cilët e përcaktojnë integrimin si proces me shumë përmasa, ku mësimdhënësi dhe sistemi arsimor synojnë t’i ndihmojnë subjektet të vendosin lidhje të kuptueshme ndërmjet vetë atyre, shoqërisë dhe mjediseve ku jetojnë, duke përdorur larmi qëllimesh, kontekstesh dhe burimesh arsimore.

Ndërkaq, edhe pse ruhen themelet disiplinore, përpjekjet reformuese po i grupojnë disiplinat në fusha të gjera të nxënies ose në fusha të gjera programore që lidhen me çështjet shoqërore. Mënyra si paraqiten këto grupe fushash, çfarë përmbajtje përfshijnë dhe si pritet t’i zbatojnë subjektet njohuritë përcaktojnë masën e integrimit kurrikular në nivel të arsyeshëm për nxënësit dhe komunitetet e tyre. Kjo përcakton nëse përpjekjet për planifikimin e kurrikulit e lejojnë të gjithë popullsinë të ketë akses të barabartë për mundësi arsimore cilësore.

 

Arsimi për kompetencat

Është arsimi për kompetenca, ai që siguron integrimin e fushave të nxënies, të proceseve njohëse, përvojave të individëve në shoqëri, këndshikimeve globale dhe pluraliste dhe të modeleve arsimore më të drejtë dhe më të barabartë. Qasjet e reja kanë revolucionarizuar mënyrën e hartimit të programeve të studimit. Vendin e përshkrimit të dijeve jashtë kontekstit në ‘paketa lëndore’ (që mund të hiqen apo të shtohen mekanikisht), e zë përshkrimi i veprimeve kompetente në situata, i orientuar nga lidhjet dialektike të kompetencave të përzgjedhura, varësisht qëllimit të programit. Në vend që të fillohet me analizën e përmbajtjeve disiplinore tradicionale, fillohet me analizën e veprimeve që ndërmerr subjekti në situatë dhe burimet që ndihmojnë zhvillimin e veprimeve. Metodat tradicionale të identifikimit dhe analizës së listave të dijeve jashtë kontekstit ofrojnë pak informacion për atë mësimdhënës që dëshiron të ndihmojë subjektet të ndërtojnë kompetenca në mënyrën më efektive të mundshme. Në dallim nga kjo, përshkrimi i situatave, i veprimeve në këto situata dhe i burimeve të dobishme për të vepruar ofrojnë informacion të gjithanshëm, mbi bazën e të cilit mësimdhënësi mund të krijojë kushtet e nevojshme për mjeshtërimin e kompetencave nga studentët.

Nga ana tjetër, natyra holistike e kurrikulave bashkëkohore, ka bërë që mësimdhënësit të nxiten të ndërtojë një vizion të përbashkët për programin, të marrin pjesë aktivisht në hartimin e tij dhe të zhvillojnë perspektivat për atë që synohet të arrihet nga subjektet. Kështu, sot hartohen kurrikula që integrojnë kompetencat kross-kurrikulare (intelektuale, metodologjike, personale /sociale dhe të komunikimit) me kompetencat specifike disiplinore (‘mëso të nxësh’, ‘zgjidhja e problemeve’, ‘zhvillimi i krijimtarisë’, ‘përdorimi i TIK’ etj).). Në këtë mënyrë, programi i studimit, thekson një grup të tërë kompetencash dhe i konsideron dijet disiplinore, më shumë si hap i parë që i vetëm nuk është në gjendje t’u përgjigjet nevojave të subjekteve në një shoqëri moderne. Këndej disiplinat dhe elementët ndër-kurrikularë integrohen më mirë dhe mbështetin zhvillimin e kompetencave brenda dhe ndërmjet disiplinave.

Ky model kurrikular konsideron se, krahas të veçantave të çdo disipline shkencore, ekzistojnë mjaft elementë kyç që u përkasin të gjithë disiplinave, kuptimi dhe përdorimi i të cilëve ndikon procesin reformues. Ndaj, reforma kurrikulare nuk mund të reduktohet në rimodelim e thjeshtëzuar vetëm të programeve të studimit. Kërkimet tregojnë se, sa më globale të jetë kjo reformë, aq më i pamundur do të jetë kufizimi vetëm në një nga përmasat e saj. Ka udhëzime kurrikulare, që nuk i takojnë vetëm një disipline, por që zbatohen në të gjithë përbërësit ndërveprues të programit të studimit. Për ta thuhet se kanë natyrë tejpërshkuese. Për të kuptuar dhe zhvilluar reformën kurrikulare është e rëndësishme të identifikohen këta udhëzues dhe të analizohen ata nga këndshikimi sistemik.

Arsimi për kompetencat dhe integrimi kurrikular nuk janë haraç që i paguhet modës për të futur koncepte dhe fjalë të reja, por dukuri objektive, që vijnë e kristalizohen nga zhvillimi i kushteve ekonomike, politike, shoqërore dhe arsimore. Ata janë objekt i kërkimit shkencor bashkëkohor, pasi nuk ekziston “një model i mirë” unik për ndërtimin e kurrikulit. Si rregull, ruhet baraspesha ndërmjet arritjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe nevojave kombëtare, çka shpie në projektimin e modelit që quhet “kurrikuli glocal”.