Emanuela Sako

Ka njerëz të njohur (si Silvio Berluskoni përshembull) që jo vetëm nuk e kanë problem të tregojnë se i kanë mbjellë flokët, por edhe bëjnë ironi pubike me veten me këtë fakt. Ka të tjerë (si disa artistë dhe politikanë në Shqipëri) që më të lehtë e kanë të rrëzojnë edhe ato flokë që u kanë mbetur se të pranojnë që kanë bërë përpjekje për të “riformatuar” kokën e tyre.

 

Në botë, 3 dekada që zhvillohet

Sidoqoftë, në botë ka rreth 30-35 vjet që kjo procedurë po bën përpara, në Shqipëri ka hyrë vitet e fundit. Nëse bën një kërkim online për këtë praktikë mëson se ajo është një ndërhyrje kirurgjikale, e cila si çdo ndërhyrje e tillë, ka të mirat dhe të këqijat e veta. Në Tiranë ofrohet në disa qendra dhe sipas kërkimit që “Jetë” bëri në to, del se ka një lloj kureshtje në rritje për ta provuar këtë metodë, megjithë çmimet relativisht të larta.

 

Kanë rëndësi ditët e para

Gjatë transplantit, personi vë flokë, të cilat do rriten dhe nuk bien më. Mjeku këshillon se është shumë e nevojshme që ditën e parë, personi i cili ka kryer mbjelljen e flokut, të tregohet pak i kujdesshëm në mënyrë që të mos t’i prekë rrënjët e sapombjella, të mos përdorë krëhërin në zonën e mbjelljes së flokut, nuk duhet larë koka për ditën e parë, mirë është që të evitojmë aktivitetet sportive për ditën e pare, etj. Këto janë disa këshilla,- për më shumë mund të lexoni intervistën që “Jetë” i mori një kirurgu në kryeqytet që merret me këtë shërbim.

 

Sa kushtojnë “qimet e kokës”?

Zakonisht përdorim shprehjen: Kushton sa qimet e kokës. Po vetë “qimet e kokës” sa kushtojnë? Nga një kërkim online, në botë, në varësi të rrethanave të ndërhyrjes, çmimi varionte nga 6 mijë në 8 mijë euro, në Tiranë, (ngjashëm me situatën e shërbimit dentar) çmimet janë më të ulëta.

Sipas mjekëve, kostoja e mbjelljes së flokut, varijon nga shkalla e rënies së flokut si dhe nga sasia e flokëve që dikush dëshiron për të mbjellë. Çmimi mesatar i mbjelljes së flokut është rreth 2 mijë euro. Ndërsa të mbjellësh vetulla kushton rreth 700 euro.

 

 

Sejfulla Malshova

Sejfulla Malshova (Cekja): “Kam qenë i lumtur pa flokë”

 

Shumë e njohin si Cekja i Beratit, por emri i vërtetë i tij është, Sejfulla Malëshova. Ceken të gjithë e njohin si tullacin e përhershëm. Madje, e mbajnë mend rolin e tij të mjekut popullor kur thotë: “hiqma tullacllëkun”, por në të vërtetë, ai është i lumtur pa flokë. Në një intervistë me të, Cekja na pohon me humor arsyet se përse ndihet mirë.

 

Si ndiheni që nuk keni flokë?

Jam ndjerë gjithmonë i lumtur. Nuk më ka interesuar se jam pa flokë. Madje jam më rehat se fryn era nga të katër anët (përgjigjet me humor).

 

Kur ju kanë rënë flokët?

Flokët më kanë rënë në moshën 22-vjeçare kur kam qenë ushtar. Në fillim më vinte shumë keq, por më vonë u mësova dhe u identifikova me tullacërinë.

 

E kishte problem gruaja që ju ishit tullac?

Unë u martova në moshën 24-vjeçare dhe në atë kohë më kishin rënë flokët. Gruaja nuk e pati fare problem këtë çështje.

 

Ceke, mund të na tregosh nëse të ka penguar të mos pasurit flokë në karrierën tënde?

Më ka dhënë më shumë sukses. Unë kam përdorur paruke në shumë role dhe mungesa e flokëve ka qenë një avantazh. Mund të përdorja çfarëdolloj parukeje të doja.

 

Po të kishte ekzistuar më parë metoda e mbjelljes së flokëve, do ta kishit aplikuar?

Larg o zot…Jooo! Nuk kam dashur kurrë të bëj një gjë të tillë. Ndihem shumë  mirë kështu. Madje të gjithë më thonë që më kanë marrë hije.

 

 

“Vijnë artistë, politikanë e sportistë, por na kërkojnë t’u ruajmë privatësinë”

Artan Laze

Andon Laze, drejtor i një klinike për trajtimin e flokëve pranë ish- Bllokut,  na pranon me mirësjellje në klinikë dhe na shpjegon disa nga procedurat: “Fillimisht kryhet vizatimi i balukes me modelin që dëshiron klienti, kryesisht floku mbillet në zonat ku ai i ka pasur flokët, në mënyrë që rezultati të jetë sa më natyral. Pastaj bëhet një mpirje (fillimisht mpihet zona nga merren flokët, zakonisht pjesa e pasme e kokës). “Më pas fillojmë dhe marrim një nga një flokët dhe mbillen në pjesën pa flokë”,- shpjegon doktori.

 

Dr.Andoni sa të interesuar ka në Tiranë për këtë lloj transplanti? Njerëz të cilës shtresë?

Ka goxha të interesuar, janë njerëz të shtresave të ndryshme, që nga politikanët dhe artistët, deri tek njerëzit e tjerë, të cilët duan t’i rikthejnë vetes flokun e rënë.

 

Po cilët janë më tepër të interesuar; aktorët, këngëtarët, politikanët…

Po nëse do t’i klasifikoja, janë më tepër këngëtarët dhe sportistët se sa aktorët.  Ka edhe politikanë që kanë bërë mbjellje. Më vjen keq që nuk mund të them më shumë se kaq, sepse ne ruajmë privatësinë e tyre.

 

Çfarë moshe kanë zakonisht?

Moshat janë nga më të ndryshmet janë moshat nga 20 deri në 60-65 vjeç.

 

Ekziston bindja që ndërhyrjet e tilla janë të kushtueshme, por që ca gjëra si rënia e flokëve përshembull, vështirë të riparohen. A hezitojnë klientët?

Hezitimi kryesor që dikush ka para se të vendosë që të bëjë mbjelljen e flokëve është pasi këta persona nuk janë të bindur nëse floku që  mbillet do dalë apo jo. Në 2005 kur ne e kemi hapur ishin disi paragjykues, ndërsa tani sa po vjen dhe nuk e kanë problem paragjykimin. Klientët shohin rezultat tek njëri tjetri dhe e kanë më të lehtë për të vendosur.

 

Ç’do të thotë me fjalë të thjeshta “të mbjellësh flokë”, çfarë etapash ndiqen?

Fillimisht bëhet diagnostikimi i gjendjes së flokut, nëpërmjet dermatoskopit, ku shihet gjendja aktuale e flokut si dhe problematika e tij dhe në bazë të gjendjes së flokut përcaktohet edhe plani individual që do të ndiqet për çdo klient. Rënia e flokut të çdo klienti është e veçantë. Hapi parë për të gjithë është diagnostikimi i gjendjes së flokut.

Nga momenti që mjeku specialist, së bashku me klientin evidentojnë zonat që ka dëshirë t’i mbushë me flokë, ata vendosin së bashku modelin e flokut të mbjellë dhe sasinë e fijeve të mbjella.

 

Cila pjesë e kokës mbillet më shumë?

Tek meshkujt zona ku floku bie është zona e kurorës së flokut. Ky është një problem gjenetik dhe vuajnë rreth 70 për qind e meshkujve. Këto janë zonat që duhet të korrigjohen dhe të mbushen sërish me flokë.

 

Ku merrën flokët që mbillen?

Floku që përdoret për mbjellje merret nga pjesa e pasme e kokës. Kjo është një zonë, në të cilën floku nuk i bie asnjë mashkulli. Duke qenë se është flokë gjenetikisht i përhershëm, floku i marrë nga pjesa e pasme e kokës ruan të njëjtat karakteristika.

 

Doktor Andoni, mund të merret floku nga dikush tjetër dhe të transplantohet më pas?

Nga dikush tjetër nuk mund të merret pasi ndryshon kodi gjenetik. Pra, floku i mbjellë duhet të merret vetëm nga vetë personi.

 

Ka efekte negative anësore?

Këto ndërhyrje bëhen 1 mm në sipërfaqe të lëkurës. Kryhet me mpirje lokale. Duke qenë kaq sipërfaqësore, shmangen efektet anësore.

 

 

 “Tregohem i hapur, por vajzat s’i le të m’i prekin “flokët e reja”

 

Artan Dushi

Artan Dushit i kanë nisur shpejt hallet me flokët. Por i riu 29 vjeçar nga Tirana tashmë ka dy vite që jeton me flokët e vëna, madje kohët e fundit është ndjerë edhe “suksesi me vajzat” që gjithsesi nuk i lejon t’ia prekin flokët!

 

Artan, cila ishte ishte arsyeja, që vendosët të bëni një hap të tillë?

Arsyeja e parë ishte pamja. Më ranë tek pjesa para. Kur e ndien që të bien flokët, mundohesh të gjesh zgjidhje. Unë bëra llogaritë e mia dhe vendosa ta kryeja këtë transplantin. E mora vetë iniciativën, por e gjithë familja u angazhua, sepse edhe ata donin që unë të ndihesha mirë.

 

Disa e kanë problem të flasin për këtë gjë, ju e keni treguar këtë pjesë te miqtë së paku?

Ishte një proces që u zhvillua gradualisht, sepse flokët rriten pak nga pak. Megjithatë, më pyesnin që çfarë të ka ndodhur me flokët, në fillim e kisha problem dhe nuk u tregoja. Pastaj e kalova atë pjesë. Kur mundohesh t’i shmangesh pyetjes së shoqërisë, është më keq. Dhe u tregova direkt. Mendova “edhe dhëmbët mbillen, edhe meshkujt depilohen”, përse duhet ta kisha problem. Për mendimin tim, është një procedurë normale.

 

Sa pagove për këtë gjë?

Pagova rreth 2 mijë euro. Mu duk pak shtrenjtë në fillim me thënë të drejtën, pastaj mendova si do dukesha me flokë dhe nuk e vrava më mendjen. Mund të them se kam bërë një gjë shumë të mire. Flokët ndonjëherë kanë të bëjnë shumë me rifitimin e besimit te vetja.

 

Edhe me vajzat apo jo?

Me vajzat… Shtohen flokët shtohen dhe njohjet (qesh). Po unë nuk i lë vajzat të m’i prekin.

 

 

 

Të vësh vetulla…pa nxjerrë sytë

 

Përveç mbjelljes së flokut ku sipas atyre që thonë mjekët që merren me këtë fushë, janë të interesuar 80 për qind meshkuj dhe 20 për qind femra, bëhet edhe mbjellja e vetullave. Në këtë segment të interesuarit janë thuajse 100 përqind të gjinisë femër.

“Kryesisht femrat në moshë të re marrin vendime sepse mund të bëjnë korrigjimin e një tatuazhi, ose në rastet kur atyre u është dëmtuar vetulla. Vetulla mund të dëmtohet edhe në një aksident të mundshëm që mund të pësojë personi. Në këto raste kryhet edhe mbjellja e vetullës, – shpjegon për ne dr.Laze.

Edhe procedura e mbjelljes së vetullës kryhet me mpirje lokale. “Zgjidhen fije të holla nga pjesa e qafës që të jenë identike me pjesën e vetullës. Përsa i përket kujdesit është e njëjta gjë që duhet të tregojë dikush me mbjelljen e flokut” – thotë mjeku. Kjo procedurë në Tiranë shkon deri në 700 euro.

 

 

 

T’i njohim rreziqet që të mund t’i shmangim

 

Trapianti i flokëve (zakonisht njihet me termin “kirurgji trikologjike”) si çdo ndërhyrje kirurgjikale është subjekt rreziqesh specifike. Kirurgët e klasifikojnë si ndërhyrje me risk të ulët, por teorikisht risqet egzistojnë. Disa prej tyre, të mara nga sajtet shkencore online, i kemi renditur më poshtë. Atu renditen faktorët që mund të ndikojnë në një dështim të transplantit të flokëve. Ato janë:

 

Pritshmëri mbi rezultatin të pabazuara në realitet

Seleksionim i gabuar i kandidatit për transplant

Gabim në pozicionimin e zonës ku ndërhyhet

Drejtim i papërshtatshëm i flokëve të mbjellë

Risqe të  lidhura me kirurgjinë si proces

Gjakosje e vijueshme

Mbijetesë e reduktuar e UF gjatë ndërhyrjes

Infeksione të mundshme

Çkatriçe (shenja) joestetike

Efluvium post-kirurgjikal

Humbje e lëkurës së kokës – Necrosi

 

 

 

 

Flokë-mbjellësi më zhurmues

 

Biznesmeni Silvio Berluskoni, ish-kryeministër i Italisë është një nga personat më të “kuruar” nga pikëpamja e kirugjisë plastike. Veç të tjerave, “kavalieri”, siç e thërrasin bashkëqytetarët e tij, ka vitet e fundit një shtim të dukshëm të flokëve. Por lista e politikanëve, e sidomos aktorëve dhe njerëzve të shout skenik e televiziv, që mbjellin dhëmbë, flokë, e vetulla, tërheqin lëkurë e shtrijnë rrudha, është pa fund. Në Tiranë flasin prej kohësh për një shou-men shumë të njohur i cili, madje, ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në kockat e këmbës për t’u zgjatur disa centimetra.